Secondary Adv

Javen e ardhshme miratohet garancia sovrane per fasonerine, detajet

Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason.

 

Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.

 

Ministri Mete theksoi faktin se ky instrument në ndihmë në sektorit fason parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues se sa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë.

 

“Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, të cilat do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë.

 

Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë se, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese”, u shpreh Ministri.

 

Nga ana tjetër, Ministri vuri në dukje se sektori i industrisë përpunuese ka patur trajtim të përshpejtuar si në rastin e rimbursimit të TVSH-së, ashtu edhe sa i përket veprimeve me llogaritë e tyre.

 

Mete theksoi se në përgjithësi, në fund të vitit të kaluar, niveli i rimbursimeve të prapambetura të TVSH-së për biznesit rezultoi zero.

 

“Për sektorë të veçantë, po i referohem përsëri fasonit meqenëse ka qenë në vëmendje, kemi pasur diskutim të frytshëm besoj për ndërveprimin që ata kanë me fiskun, qoftë me Tatimet, qoftë me Doganat,

 

duke marrë angazhimin që të lehtësohen dhe thjeshtohen procedurat kur vjen puna te rimbursimi i TVSH-së apo në rastet e ndërveprimit për llogaritë e tyre.

 

Duhet theksuar se vitin e kaluar kemi zero rimbursime TVSH-je të prapambetura në të gjithë sektorët e veçanërisht në këta që janë sektorë prioritarë kur vjen puna në trajtimin fiskal të tyre”, tha Ministri.

 

Sipas Ministrit, është e rëndësishme momenti i mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në mbështetje të shtuar për sektorët e ekonomisë dhe për shtresa të caktuara, për një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse.

 

Në këtë kuadër, Ministri tha se rritja e mëtejshme e pagave që pritet të ndodhë së shpejti i përgjigjet pikërisht këtij synimi, ashtu si edhe lehtësitë fiskale që po diskutohen për disa nga kategoritë e të punësuarve.

 

Një Dhomë Ekonomike Kombëtare

 

Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar u diskutua edhe për projektligjin e ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare ku të gjithë bizneset do të jenë të detyruara të regjistrohen.

 

“Diskutimi për p/ligji e ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare. Një pr/ligj i vonuar prej shumë vitesh. Duhet të imponojmë detyrimin e regjistrimit në Dhomën Ekonomike Kombëtare siç e kanë të gjitha vendet demokratike.

 

Asgjë më shumë e as më pak. Duam të bashkojmë forcat e krijojmë një qasje sa më të qartë e konkrete për çfarë do të bëjmë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/keshilli-ekonomik-kombetar-mete-javen-e-ardhshme-miratojme-detajet-e-garancise-sovrane-per-sektorin-fason/)


Më të lexuarat